Një kujtim i "Motrave Schiapparoli"

Pubblicato: Marte, 10 Shkurt 2015

Instituti  i Motrave Benediktine të Provanisë Hyjnore e ka origjinën në Voghera (Itali )provincë e Pavijës, Dioqezë e Tortonës, në vitin 1849 nga Motrat Maria e Giustina Schiapparoli.

Themelueset tona, duke parë realitetin ku jetonin, të rrethuara nga Shpirti i Dashurisë, filluan te kërkonin mënyra për të mbyllur plagët e varfërisë dhe të endjes në rrugë të të rinjve, duke i dhënë atyre mikpritje, mësim, punësim dhe ushqim të përditshëm.

 Fryma shpirtërore e Institutit konfirmoi dhe vazhdoi atë përvijim Benediktin të shprehur mirë në moton: “Ora et Labora” (Lutu dhe Puno). 

Hiri i themelueseve u mishërua dhe u bë i qartë në jetën e komunitetit që pasqyron gjithmonë thjeshtësinë dhe përvuajtjet e origjinës së tyre. Ky hir na impenjon ne, në çdo kohë, që të hapemi me kurajo, zemërgjerësi dhe mëshirë në problemet e vëllezërve, veçanërisht të fëmijëve dhe rinisë. 

Të ftuarit ndoqën në videoprojektor historinë e krijimit të Institutit nga motrat Maria dhe Giusttina Schiaparoli. Kjo histori e thjeshtë dhe shumë e bukur ishte përmbledhur në librin për fëmijë “Një histori dashurie”. Ato panë me shumë interes punën që bënin dy  motrat me fëmijët jetimë dhe të varfër. Këto dy motra kishin një zemër të madhe, të mbushur me dashuri, që ua falnin fëmijëve. 

Programimi u mbyll me koreografinë me temë “Dhe pranvera do të vijë” të cilën e ekzekutuan nxënësit e klasave të II-ta,III-ta,VI-ta. Fëmijët janë vazhdimësia e jetës, të cilët kërkojnë nga të rriturit mbrojtje dhe dashuri. Kështu e ndërtuan jetën e tyre Maria dhe Giustina duke u dhuruar fëmijëve, strehe, mbrojtje, dashuri. Sot motrat Benedetine u shërbejnë fëmijëve në nevojë në Itali, Brazil, Indi, Shqipëri, Meksikë, Paraguaj, Guinea, Kenia, Rumani sepse karizma  e tyre është: “Mikpritje, përkujdesje, edukim”.