Kush jane Motrat Benediktine
Kongregacioni i Motrave Benediktine të Providencës Hyjnore e ka origjinën në Voghera (Itali) provinca e Pavijës, dioqeza e Tortonës, në vitin 1849 nga Motrat Maria e Giustina Schiapparoli.
Kishte pak kohë që kishte mbaruar lufta e parë për pavarësinë e Italisë dhe Voghera, gjatë luftës ishte zgjedhur si qendër e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Trupa të shumta ushtarake kalonin dhe qëndronin në qytet e bëheshin elemente çrregullimesh morale, duke provokuar situata të vështira për rininë, veçanërisht për fëmijët në gjendje të rrezikshme ose të braktisur.
Pasi përfundoi lufta ishin të shumtë jetimët dhe jetimet që lypnin bukë ose asistencë.
Degradimi dhe varfëria ishin të mëdha, si pasojë varfëria ishte shumë e përhapur dhe vazhdimisht e dënueshme nga opinioni publik. Shumë i përhapur ishte dhe analfabetizmi, veçanërisht tek rinia e varfër.
Periudha para dhe pas luftës së 1849 është një ndër më të vështirat për rajonin, në vazhdim lufta shkatërruese me Austrinë.
Qyteti i Vogherës kishte qenë gjithmonë një qytet veçanërisht bujqësor për këtë aktiviteti industrial qe shumë i kufizuar.
Pikërisht fakti që ishte një qytet pothuajse bujqësor, përbënte për Vogherën, një shkak kryesor për varfërinë, sepse popullsia fshatare ishte e formuar nga puntorë krahu ditor, që jetonin me prodhimet e stinës dhe në dimër, për shkak të ftohtit të madh, kufizoheshin në minimum mundësitë e tyre për të mbijetuar.
Varfëria dhe injoranca ecin gjithmonë së bashku, në një rreth të mbyllur. Dhe në këtë kontekst të vështirë plot varfëri, mjerim, jetimë, prostitucion, analfabetizëm, lindin themelueset tona Maria e Giustina Schipparoli.
Të ardhura nga Ronco Scrivia, me bekimin e Madre Benedetta Cambiagio: “Vajzat e mia të dashura, diçka kërkon Zoti nga ju. E shoh mirë që është e nevojshme t’ju lë të niseni. Shkoni pra në emër të Zotit e Providenca do t’ju ndihmojë”. Ato, në 1847-tën, ishin në Voghera.
Kanoniku Torreri i Vogherës shkruan: “Janë këtu për të kuruar motrën e verbër. Sillen në mënyrë të lavdërueshme. Janë shembull në ndjekjen e Sakramenteve të Shenjta dhe Funksioneve të Shenjta, aktive dhe janë të pandrojtura në punë”.
Shihet nga ky shkrim që Maria e Giustina ishin dy personalitete të pasura dhe të formuara brenda tyre, të rritura në një ambjent vuajtjesh e pune, diturie dhe Dashurie për Zotin, shërbimi dhe përkushtimi.
Motra e tyre Luigia, e verbër dhe shëndetligë vdiq më 15 prill 1848. Menjëherë mbas vdekjes së Luigias, Maria e Giustina filluan aktivitetin e tyre apostolik në Voghera. Puna ishte e shumtë dhe ato kishin nevojë për ndihmë.
Themelueset tona, duke parë realitetin që i rrethonte, një shoqëri plot vajza e të reja të lëna pasdore, analfabete, lypëse, jetime, të dhëna mbas prostitucionit, ku varfëria konsiderohej si një e keqe e domosdoshme, fiziologjike dhe e pandreqshme, nuk ndenjën duarkryq. Përkundrazi, të gjallëruara nga një besim i pakufishëm në Providencën Hyjnore, realizuan pikërisht ëndrrën e Jezusit.
Morën veshjen fetare nga Superiori i Komunitetit Françeskan të vendit, në një kishë të vogël në Kuvendin e Fretërve “Minori Riformati”.
Të udhëhequra nga Shpirti i Dashurisë, filluan të kërkonin mjete dhe veprime për të mbyllur plagën e varfërisë dhe të vagabondazhit (endjes rrugëve) të vajzave dhe të rinjve të Vogherës duke u dhënë atyre mikpritje, mësim, punësim dhe ushqim të përditshëm.
Për të mbajtur veten dhe vajzat që i strehonin, Motrat nuk shfrytëzuan mënyrat e asaj kohe duke u lypur atyre që kishin, por u impenjuan duke punuar me “gjilpërë” për Kolegjin e Shën Lorencos, të Vogherës e për disa priftërinj të të njëjtit Kolegj.
Ishte një vepër asistence – bamirëse që më vonë do të quhej “Opera Pia Figlie Derelitte”. Përsa i përket arsimimit e shkollës ato e filluan para administratës publike, ndërsa shkolla e parë fillore në Voghera (publike) u hap në vitin 1852. Kjo shkollë nuk mund të plotësonte të gjitha kërkesat e asaj kohe e ndërkaq i jepte përparësi, sipas zakoneve të atëhershme, fëmijëve të familjeve më të pasura duke lënë të tjerët në plan të dytë.
Shkolla e Motrave Schiapparoli kishte objektiva që tejkalonin mësimin e thjeshtë të leximit, të shkrimit e të matematikës. Synimi edukativ i Veprës ishte shumë më i gjerë dhe përveç mësimit të punimeve me dorë si qëndisja, prerja dhe qepja, arnimi, jepte dhe formim fetar e katekist.
Me kalimin e kohës, me zhvillimin e veprës bamirëse dhe të asistencës së Motrave Schiapparoli ato bëhen mjaft të njohura e të admiruara dhe disa vajza të reja, duke dëgjuar thirrjen e Zotit, janë nxitur që të bashkëpunonin me to, në të njëjtin aktivitet, shumë i nevojshëm në atë kohë. Kështu e pati fillimin Kongregacioni i Motrave Benediktine të Providencës Hyjnore.
Ishte viti 1849.
Në 1860 filluan të hapeshin shtëpi të tjera dhe u shtuan veprat e edukimit dhe të asistencës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë “vajzave që merreshin nga varfëria dhe edukoheshin me besimin fetar dhe me virtytet e punës për vendin e tyre”, ashtu siç shkruanin dy motrat Schiapparoli në një letër të vitit 1860.
Vështirësitë nuk i trembin dhe në 1867 me besim dhe shpirt profetik Giustina shkruan: “Besoj tek Providenca që nuk mungoi kurrë në ndihmë të nevojtarëve të kësaj shtëpie të varfër”.
Me kalimin e viteve fara e vogël rritet dhe në 1936 kemi fondacionet e para përtej Oqeanit: në Brazil, ku aktualisht janë 39 shtëpi.
Selia e Shenjtë me dekret të datës 10/02/1936 aprovon e konfirmon kushtetutat e reja. Aprovimi Papal u sanksionua përfundimisht më 25/10/1943, pas shtatë vjet prove.
Fryma shpirtërore e Institutit konfirmoi dhe vazhdoi atë përvijim Benediktin të shprehur mirë në moton “ORA ET LABORA” (Lutu dhe Puno), që dallohet në stemën e Kongregacionit.
Hiri i themelueseve u mishërua dhe u bë i qartë në jetën e Komunitetit që pasqyron gjithmonë thjeshtësinë dhe përvujtërinë e origjinës së saj.
Ky hir na impenjon ne në çdo kohë, që të hapemi me kurajo zemërgjerë dhe mëshirë në problemet e vëllezërve, veçanërisht të fëmijërisë dhe rinisë së varfër ose nevojtare.Aktualisht, Kongregacioni është i pranishëm edhe në Bolivi, Paraguaj, Meksikë, Guinea Bissau, Kenia, Indi dhe në Evropën Perëndimore: Rumani dhe Shqipëri.