Rregullorja e Shkolles

Pubblicato: Marte, 11 Shkurt 2014

Plani i edukimit të Institutit synon të realizojë:

  • Një shkollë, që të formojë njerëz të aftë për jetën.
  • Një shkollë, që të jetë dëshmi e nderimit për të tjerët, e ndihmës për ata që vuajnë, që janë të dobët e që ndodhen në vështirësi.
  • Bashkëpunim të sinqertë dhe pa interes me autoritetet shtetërore dhe organizatat e tjera shoqërore në planin formues e të solidaritetit njerëzor.
  • Të vejë në jetë programet shkollore të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, duke integruar ndryshimet e aprovuara nga M.A.SH Tiranë.


1.    PRANIMI

1.1    Zbatimi i normave disiplinore të përshtatshme konsiderohen nga shkolla, kusht i domosdoshëm për një rregull të përgjithshëm dhe për punë të efektshme si mjet për formimin e karakterit e të personalitetit të nxënësit.
1.2    Rregullorja e disiplinës së shkollës është e detyrueshme për të gjithë: mësuesit, ndihmësit, nxënësit, personelin dhe prindërit. Cilido, sipas detyrës dhe kompetencave të veta, duhet të ndihmojë që rregullat të zbatohen me ndershmëri dhe rigorozitet.
1.3    Regjistrimi u kërkon nxënësve dhe familjeve të pranojë me përkushtim qëllimin dhe normat e rregullores së brëndshme të shkollës, sidomos të atyre që lidhen me kohëzgjatjen e regjistrimit dhe kushtet e qëndrimit në shkollë
1.4    Pranimi i kërkesave për regjistrimin për herë të parë, ripërsëritja e tij për vitet e ardhshme (për ata që janë pranuar) është e drejtë e plotë dhe e padiskutueshme e drejtorisë së shkollës.
1.5    Pranimi ose ripranimi i nxënësit është vjetor.
Kjo vendoset në fund të çdo viti shkollor, deri më 05 Korrik, në mënyrë të dokumentuar.
1.6    Në rast se një nxënës, i regjistruar në mënyrë të rregullt në shkollë, frekuenton një shkollë tjetër, pa marrë lejen e largimit, nuk do të pranohet më në shkollën tonë.


2.    NORMAT  E  DISIPLINËS PËR  NXËNËSIT

2.1    Paraqitja në mësim sipas orarit shkollor është e detyrueshme për të gjithë.
2.2    Nxënësit që mungojnë në shkollë do të futen në klasë vetëm pas justifikimit të  arsyetuar të prindit ose të një kujdestari që e zëvendëson atë.
2.3    Justifikimet duhet të siglohen nga drejtori ose prej një personi tjetër të caktuar prej tij.
2.4    Mungesat që vazhdojnë më shumë se 5 ditë për arsye shëndetësore, justifikohen vetëm me raport mjeksor.
2.5    Nxënësit duhet të ndodhen brenda në klasë kur të bjerë zilja, që lajmëron fillimin e mësimit.
2.6    Kush arrin me vonesë pas orës së caktuar për fillimin e mësimit (në raste të rralla) mund të pranohet në klasë me miratimin e drejtoreshës ose të ngarkuarit të saj.
2.7    Vonesat e shpeshta do t’u njoftohen familjeve dhe do të kenë masa disiplinore.
2.8    Gjatë kohës së mësimit duke përfshirë edhe pushimet asnjë nxënës nuk duhet të dalë nga shkolla pa leje të drejtorisë.
2.9    Shkolla nuk mban asnjë përgjegjësi për daljet pa leje.
2.10    Kërkesa për t’u larguar nga shkolla, përpara përfundimit të mësimeve, duhet të motivohet e t’i drejtohet me shkrim drejtorit të shkollës, nga familja, duke përcaktuar qartë ditën, orën dhe arsyen.
2.11    Kërkesa për të dalë para përfundimit të mësimeve e kërkuar nga prindi dhe e pranuar nga drejtoria i heq shkollës çdo përgjegjësi që nga momenti në të cilin nxënësi del nga shkolla.
2.12    Nga të gjithë kërkohet një qëndrim korrekt dhe i edukuar. Në mjediset e shkollës nuk lejohen zhurma, shprehjet e pahijshme, çrregullimet, lojrat e papërshtatshme dhe dëmtimet e njerëzve e të bazës materiale të shkollës.
2.13    Nxënësit janë përgjegjës për dëmtimin dhe prishjen e pajisjeve që i përkasin shkollës. Kush dëmton paguan. Drejtoria nuk përgjigjet për sendet vetiake që nxënësit sjellin dhe i harrojnë në shkollë (veshje, libra, para, etj.).
2.14    Ndalohet rreptësisht për të gjithë pirja e duhanit në ambientet shkollore dhe mbajtja e aparaturave telefonike, elektronike dhe lojërave.

3.    MASAT   DISIPLINORE

3.1    Për thyerjet e rregullave të disiplinës, veçanërisht për raste të rënda e të përsëritura do të merren masa të menjëhershme si më poshtë:

  • Qortim – këshillim nga ana e mësueses kujdestare
  • Qortim – këshillim nga ana e drejtorisë, “Paralajamërim gojor, për thyerje të notës në sjellje”.
  • Paralajmërim i familjeve
  • Pezullim nga mësimet nga 1-3 ditë (për përdorim dhune, fjalor jo korrekt, dëme shkaktuar shkollës ose personave të ndryshëm, vonesa në mësim ose mungesa të paarsyeshme dhe për të gjitha ato arsye që drejtoria i gjykon të rënda).
  • Thyerje e notës në sjellje nga  “Sh.mirë” në  “Mjaftueshëm” në raste që Drejtoria dhe Komisioni i Disiplinës i konsideron të rënda.
  • Në qoftë se te nxënësi nuk shihet dëshira për t’u përmirësuar në proçesin edukativ brenda dhe jashtë orëve të mësimit, atëherë:
    Nxënësi nuk pranohet më në shkollën tonë.
  • Për motive të rënda nxënësi përjashtohet nga shkolla.

    4.       LIDHJET   SHKOLLË / FAMILJE

    4.1    Në shkollën tonë prindërit janë përgjegjësit kryesorë për edukimin e fëmijëve.
    Ata duhet të sigurojnë për fëmijën një mjedis të sigurtë, të mbrojtur dhe të pasur nga ana kulturore dhe edukative, duke bashkëpunuar ngushtë me shkollën. Nga ana e saj shkolla duhet të bëjë ç’është e mundur, që të nxisë e mirëpresë me dashamirësi bashkëpunimin e prindërve.
    4.2    Në fillim të vitit shkollor (të ciklit të ulët e të lartë), prindërit e çdo klase zgjedhin dy përfaqësues  të tyre, të cilët ngarkohen me këtë detyrë deri në fund të ciklit, me përjashtim të rasteve kur ato shkelin normat e Institutit.
    4.3    Zgjedhja e prindërve vlen vetëm në qoftë se në mbledhje marrin pjesë 50% e tyre.
    4.4    Përfaqësuesit e prindërve të klasave formojnë Komitetin e Prindërve të shkollës.
    4.5    Komiteti i Prindërve zhvillon aktivitetin e tij në marrëveshje për çdo gjë me Drejtorinë e shkollës e pjesëtarët e tjerë të bashkësisë edukative.
    4.6    Mbledhjet e prindërve bëhen në bazë klase e shkolle dhe zhvillohen në ambientet e shkollës. Data dhe orari i zhvillimit të tyre duhet të bashkërendohet herë pas here me Drejtorinë.
    4.7    Mbledhjet zhvillohen jashtë orarit mësimor.
    4.8    Vendimet e mbledhjes së prindërve i komunikohen Këshillit të Institutit.

    5.        DREJTIME   PUNE   PËR   MËSUESIT

    5.1    Mësuesit duhet të kuptojnë angazhimin e tyre në edukimin e nxënësve, në mënyrë të plotë e të thellë.
    Ata duhet të kenë:
  • Kompetencë specifike në lëndën e tyre si dhe kompetencë psiko – pedagogjike bashkëkohore.
  • Gatishmëri të vazhdueshme dhe vëmendje të kujdesshme në lidhje me të gjitha nevojat dhe kërkesat e nxënësve.
  • Vëmendje për një raport të qëndrueshëm me shoqërinë aktuale në zhvillim.

5.2    Mësuesit duhet të mundohen të kuptojnë objektivat specifike të Institutit.
Për një mësimdhënie të lirë, të ndërlidhur me vlerat e planit edukativ të miratuar, mësuesit duhet të zbatojnë këto detyra:

  • Të marrin pjesë seriozisht në aktivitetin edukativ e mësimor.
  • Të thellojnë më shumë formimin e tyre njerëzor, shpirtëror, si      dëshmi e vlerave koherente, të impenjimit, të drejtësisë, demokracisë e paqes.
  • Të marrin pjesë aktivisht në nismat shkollore dhe jashtëshkollore të propozuara nga drejtoria.



6.        KËSHILLI   I   KLASAVE

6.1    Me qëllim që t’u jepet edukatorëve (prind – mësues) mundësia për  ballafaqim e ndihmë reciproke duke harmonizuar punën edukative të secilit grup për çdo klasë përveç këshillit të mësuesve, krijohet këshilli i klasës me përfaqësues të prindërve.
6.2    Këto këshilla thirren nga drejtoresha, normalisht një herë në semestër dhe drejtohen nga ajo ose nga një mësues i caktuar prej saj; ato trajtojnë argumentat e caktuara në rendin e ditës.
6.3    Detyra specifike e këshillave të klasës është të formulojë propozime sipas rregullit të punës edukative të përcaktuar për t’i integruar këto në mënyrë të drejtë  didaktike e për më tepër të mundësojë e të shtrijë lidhjet ndërmjet mësuesve, prindërve e nxënësve.
6.4    Realizimi i koordinimit didaktik dhe i lidhjes ndërlëndore, si dhe vlerësimi periodik e përfundimtar i nxënësve, është detyrë e Këshillit të mësuesve të klasës vetëm me pjesëmarrjen e mësuesve.


7.     KËSHILLI   I   INSTITUTIT

7.1  Këshilli i Institutit është i përbërë nga 23 anëtarë: 4 prej të cilëve janë anëtarë të zyrës e 19 janë të zgjedhur.

Janë anëtarë të zyrës:

  • drejtoresha, me cilësinë e presidentit
  • një përfaqësuese e Komunitetit fetar
  • ekonomistja që përfaqëson sektorin administrativ
  • sekretarja, që përfaqëson personelin jo mësues.


Janë anëtarë të zgjedhur:

  • një përfaqësuese e kontrollit të drejtorisë
  • 8 mësues: përfaqësues të ciklit fillor dhe 9 vjeçar
  • 8 prindër: përfaqësues të ciklit fillor dhe 9 vjeçar
  • 2 nxënës (të klasave të 9-ta ): 1 mashkull / 1 femër)


7.2    Drejtoresha drejton këshillin e Institutit dhe zgjedh sekretarin ndërmjet anëtarëve të zgjedhur, me përjashtim të nxënësve.
7.3    Këshilli në mbledhjen e parë, zgjedh me shumicë absolute votash: në votimin e parë ose në të dytin dhe me votim të fshehtë: zëvendës presidentin, që zgjidhet ndërmjet përfaqësuesve të prindërve.
7.4    Këshilli i Institutit, duke mos ndërhyrë në kompetencat e Këshillit të Mësuesve e të këshillave të klasave, ka fuqi të vendosë përsa i përket organizimit e programimit të jetës e të aktivitetit të shkollës në sferat e mëposhtme:
Aprovim e modifikim i rregullores së brendshme të shkollës
Blerje  ripërtëritje e ruajtje e pajisjeve teknike, shkencore e mjeteve didaktike, (përfshi këtu edhe ato audiovizive vidio – kaseta etj.), si dhe e pajisjeve të bibliotekës.
Përshtatje e kalendarit shkollor sipas kërkesave specifike të vendit.
Nxitja e kontakteve me shkolla dhe institute të tjera edhe jashtë vendit,me qëllim të realizimit të shkëmbimit të informacionit e të eksperiencës për të ndërmarrë nisma të ndryshme të bashkëpunimit.
Pjesëmarrje e shkollës në aktivitete kulturore, sportive e rikrijuese.
Gjetje formash dhe mënyrash për zhvillimin e nismave të solidaritetit, që mund të merren nga shkolla.
7.5    Këshilli i Institutit ka fuqi konsultative përsa u përket kritereve të programit e të vënies në jetë të aktiviteteve jashtëshkollore.
7.6    Presidenti i Këshillit të Institutit thërret dhe drejton mbledhjet e Këshillit, cakton rendin e ditës sipas propozimeve paraprake të Këshillit të Mësuesve, të këshillave të ndryshme të klasave dhe të pjesëtarëve të Këshillit të Institutit.
7.7    Presidenti, në raste kur është i zënë ose mungon, i jep të drejtat e veta zëvëndës presidentit i cili merr të gjitha të drejtat e funksionit të tij.
7.8    Sekretari i Këshillit mban një proçesverbal për çdo mbledhje të Këshillit dhe e lexon atë në mbledhjen pasardhëse.
7.9    Këshilli i Institutit zgjidhet për dy vjet dhe ushtron funksionet e veta derisa të marrë funksionet Këshilli i ri.
7.10    Këshilltarët, të cilët në harkun e dy viteve nuk plotësojnë kushtet për të cilat janë zgjedhur, zëvendësohen.
7.11    Data, ora dhe rendi i ditës i mbledhjes së Këshillit të Institutit vendosen në përfundim të mbledhjes së fundit: në rast të kundërt, Presidenti, merr masa që këshilltarët të paralajmërohen të paktën pesë ditë përpara ditës së caktuar. Në rast urgjence, thirrja për mbledhje bëhet nga Presidenti në kohën më të shkurtër e me çdo mjet.
7.12    Që mbledhja e Këshillit të zhvillohet, duhet të jenë prezent të paktën gjysma e këshilltarëve plus një. Mjafton që të jenë përfaqësuesit e të gjitha grupeve (mësues, prind dhe nxënës)
7.13    Mbledhjet e Këshillit të Institutit nuk janë të hapura për persona të huaj, por mund të lejohet të hyjë ndonjë specialist për trajtimin e problemeve të veçanta.
7.14    Vendimet e Këshillit merren me shumicë absolute të votave të lira të këshilltarëve prezent. Në rast barazimi vendos vota e Presidentit.
7.15    Votimi bëhet i fshehtë kur proçedohet për zgjedhjen e zëvëndës  presidentit dhe në të gjitha ato raste që votohet për persona. Në çdo rast tjetër votimi mund të bëhet duke ngritur dorën.
7.16    Votimi mund të bëhet i fshehtë edhe kur këtë e kërkon një e treta e këshilltarëve prezent.
     

8.       KONKLUZION

8.1  Nga pikpamja juridike, administrative  dhe ekonomike organizimi i     shkollës i besohet drejpërdrejt përgjegjësisë së komunitetit që përbën enti drejtues.
8.2  Rregullorja e paraqitur, e propozuar dhe aprovuar nga Këshilli i  Institutit do të hyjë në fuqi në vitin shkollor 2007 – 2008.
8.3  Në fillim të çdo viti shkollor, të gjithë: trupa mësimore, prindërit e nxënësit që ndjekin shkollën tonë duhet të dëshmojnë se e njohin rregulloren dhe se pranojnë atë.