Elisa Isufi kthehet me medalje nga Turneu i Romës

Pubblicato: Hene, 11 Dhjetor 2017

Shah pa kufij moshe, 11-vjeçarja shqiptare Elisa Isufi kthehet me medalje nga Turneu i Romës

Përfundoi të dielën në Romë, Turneu i Hapur Ndërkombëtar (pa kufij moshe, femra - meshkuj) në të cilin garuan 68 shahistë nga Italia dhe 12 vende të tjera të botës midis të cilëve edhe Elisa Isufi nxënësja e shkollës "VINCENC PRENDUSHI"  Durrës  nga Shqipëria.

Elisa me rejting ELO 1472, provoi të garonte me guxim në grupin B (1600 - 2100 rating ) dhe jo në atë C ( 0 - 1600 rating) ku në fakt normalisht duhej të garonte, tha instruktori kombëtar i FIDE, Arjan Bllaca. Sipas Bllacë, "ndonëse në një shkallë vështirësie të lartë për të, shahistja shqiptare ia doli të bëjë një garë të shkëlqyer dhe mjaft rezultative, e cila tejkaloi edhe parashikimet me optimiste.

Në 9 raundet e zhvilluara, ajo ia doli të fitojë 3 ndeshje; të barazojë 5 dhe humbasë vetëm 1 duke grumbulluar 5,5 pikë dhe renditur në klasifikimin përfundimtar në vendet 13 - 17 ndër 68 garuesit.

Për rezultatin e lartë, Elisa Isufi fitoi çmimin special të lojtares më rezultative Under 1700 ELO, duke u nderuar me medaljen edhe të lojtares më të mirë ndër shahistet femra pjesëmarrëse.

Ndonëse në bazë te rejtingut startoi nga pozicioni 58, Elisa Isufi ia doli të lërë mbrapa plot 52 shahistë midis të cilëve 5 Kandidatmjeshtra Nacionalë të Italisë, 3 shahistët garues nga Gjermania, 1 nga dy lojtarët e Rusisë si dhe lojtaret nga Greqia, Holanda, Meksika, Austria, Slovenia dhe Kili.

Në planin teknik 11 vjeçarja Isufi startoi me 1472 ELO Rating dhe zhvilloi garë me kundershtarë, forca mesatare e të cilëve ishte ndjeshëm më e lartë, 1812 ELO.

Me mbi 60% të pikëve të realizuara ndaj tyre ajo pati një performancë mjaft të lartë 1911 njesi, rezultat së cilës lojtarja shqiptare i bëri një përmirësim drastik rejtingut personal me plot + 176 njësi ELO! Tashme Elisa Isufi është lojtare e nivelit 1648 ELO Rating," - theksoi Bllaca.

"Në rrafshin kombëtar, ajo ndonëse pa mbushur ende 12 vjeç, është lojtarja më e rankuar deri ne U-18 Girl dhe përfaqëson rekord historik mbasi asnjë lojtare shqiptare e kësaj moshe nuk ka patur ndonjëherë këtë rejting ELO.

Në vështrimin ndërkombëtar, Elisa Isufi tashmë hyn në lojtaret prestigjoze të moshës ( mbi baze rejtingu) në Europë dhe në Botë. Në 1 janar 2018 do të mësohet ekzaktësisht renditja e Elisës në bazë të publikimit nga FIDE.

Falë garës mjaft rezultative që zhvilloi në Romë, vajza jonë fitoi admirimin dhe respektin e të gjithë kundërshtarëve dhe stafit organizator, të cilët dhanë për të vlerësimet maksimale, - cilësoi instruktoi Bllaca, me plot mbresa nga ky turne dhe shpresa për vogëlushen e talentuar shqiptare. - Me shpresën dhe besimin se një yll i ri po lind në ambientin shahistik shqiptar- cilësi ai, -  si dhe me urimin e përzemërt për Elisën, për atë ç'ka ajo na dha gjatë këtyre ditëve. "